Familja Goma hyn në shtëpinë e saj të re. Një lajm i cili gëzoi jo vetëm familjarët, por të gjithë shqiptarët të cilët u solidarizuan me historinë e tyre. Andileta e vogël, rrëfeu pak muaj më parë dhimbjen e vuajtjet që ishin duke kaluar prej kushteve të rënda në të cilat jetonin. Shtëpia e tyre ishte e vjetëruar dhe rrezikonte të shembej.
“Nuk dua të jetoj këtu se kjo nuk mban! Kjo është e vjetër! Bie shi këtu… Bie atje. Bie te nëna, te gjyshi.Do doja të kisha kushte më të mira se këto, është gjynah të rrish kështu si rrimë ne.”
Thirrja e saj për ndihmë mobilizoi njerëzit anë e mbanë Shqipërisë, të cilët shprehën gadishmërinë për të ndihmuar. Por, në veçanti kontribut shumë të madh kanë dhënë dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
“Dua të falënderoj dy djem nga Struga, të cilët nuk duan që t’i përmendet emri. Janë dy djem të jashtëzakonshëm, që në momentin e parë që janë njohur me rastin tuaj shprehën gadishmërinë për t’iu ndihmuar. E kishin të panegociueshme që do të bëjmë një shtëpi të re nga themelet.
Shtëpia është e bollshme, duke qenë se dhe ju jeni një familje e madhe. Tani t’i harroni vuajtjet, ne na keni në krah për çdo nevojë,” u shpreh Arbër Hajdari, drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe”, në momentin e dorëzimit të çelsave.
Përpos shtëpisë së re, “Fundjavë Ndryshe” është duke u kujdesur edhe për trajtimin mjekësor të vajzës së vogël, Olivias, e cila vuan nga një sëmundje e lëkurës.
Familja Goma jeton në Funarës, një fshat i largët dhe i thellë në Librazhd. Veç gjendjes së rënduar shëndetësore së kryefamiljarit, familja jetonte mes skamjes e varfërisë. Por, tashmë ato ditë kanë marr fund. Për familjen, ky është një fillim i ri.
Ta gëzoni shtëpinë e re!
Bamirësia nuk të varfëron!
Për të dhënë kontributin tuaj për kauzat e “Fundjavë Ndryshe”, klikoni këtu.