| Contact Us: +355 68 808 9999

Fondacioni Fundjavë Ndryshe

“Fundjavë Ndryshe”, nisma më e madhe sociale në Shqipëri gjendet pranë çdo familje në nevojë duke identifikuar nevojat e tyre dhe duke orientuar një zgjidhje për t’i nxjerrë nga varfëria.

Në Shqipëri ka me mijëra familje që nuk arrijnë të përmbushin minimumin jetik, dhe kjo lidhet me varfërinë ekstreme që prek pothuajse gjithë vendin.

“Fundjavë Ndryshe” organizon çdo fundjavë aktivitete, ku bamirës të ndryshëm së bashku me vullnetarët dhe stafin e organizatës, shpërndajnë ndihma ushqimore, veshëmbathje dhe të mira materiale për familjet në nevojë në të gjithë vendin. Gjatë këtij aktiviteti, “Fundjavë Ndryshe” ka ndihmuar dhjetëra mijëra familje, fëmijë dhe të moshuar në varfëri ekstreme.

Strehimi i familjeve në nevojë është jetik për shoqërinë. Të varfër, përballë një jete të vështirë, pa një profesion, shëndetlig dhe me disa fëmijë, shpresat për të ndërtuar një çati mbi kokë janë shumë të zbehta…

 

Që në fillim të aktivitetit tonë, ne kemi punuar fort në këtë drejtim. Kemi strehuar më shumë se 500 familje nëpër shtëpi të reja. E gjitha kjo është realizuar falë një organizimi të detajuar me bamirësit e “Fundjavë Ndryshe”, dhuruesit që kanë vënë dorën në zemër për të ndihmuar një familje. Sot përballemi me një tjetër sfide, strehimi i familjeve që ju dëmtuan banesat nga tërmeti i 26 nëntorit.

 

Shëndetësia është një nga fushat më problematike të shtresave vulnerabël. Kontrollet mjekësore janë të shtrenjta, çmimet e medikamenteve janë të larta, operacionet të papërballueshme dhe sëmundjet kronike ndër më të vështirat.

“Fundjavë Ndryshe” ka ndërtuar një strukturë të mirëfilltë, ku personat me probleme shëndetësore mund të vizitohen, kryejnë analizat falas dhe pajisen me medikamente. Lidhur me ndërhyrjet e vështira që kushtojnë shumë, ne kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me spitale jashtë vendit. Ndërkohë “Fundjavë Ndryshe” po administron aplikimin e disa projekteve të mëdha në fushën e shëndetësisë.

Edukimi është arma më e fortë për të luftuar varfërinë, ndërkohë që në vendin tonë ky proces është një sfidë më vete, sidomos kur sheh se varfëria ka ngulur rrënjë mes shumë familjeve shqiptare.

Që në fillimet e “Fundjavë Ndryshe”, edukimit i është kushtuar një vëmendje e veçantë. Ne jemi munduar të punojmë për ta sfiduar këtë realitet, duke shpërndarë bursa studimi, kurse private, gjuhë të huaja, materialet shkollore, çanta, libra fletore. Aktualisht ne kemi aplikuar krijimin e disa projekteve të mëdha në fushën e edukimit, si ndërtimi i një shkolle profesionale, biblioteke dixhitale dhe fizike.

Papunësia në Shqipëri është shumë e lartë, dhe kjo është vetëm një nga shumë shkaqe të varfërisë ekstreme, që ka përfshirë vendin tonë.

Pasi “Fundjavë Ndryshe” shqyrton problematikat e familjes, dhe pasi asaj i jepet ndihma në sektorët jetikë si ushqimi, shëndetësia apo edukimi, ne synojmë të lidhim marrëveshje punësimi mes familjarëve dhe bizneseve. Ne besojmë se duke punësuar anëtarët e familjeve në nevojë, do të arrijmë të sigurojmë për to të ardhura të stabilizuara dhe t’i nxjerrim nga varfëria. Aktualisht jemi duke punuar për të ndërtuar një shkollë profesionale, ku shumë individë do të marrin zanate, për tu aftësuar në tregun e punësimit.

 

Shoqëria shqiptare është e painformuar ligjërisht, më së shumti shtresat e margjinalizuara dhe familjet në nevojë. Shumë prej tyre nuk kanë informacion lidhur me ndihmën ekonomike, ndihmën sociale e me zgjidhjet e problemeve shëndetësore nga instancat përkatëse.

Asistenca ligjore është një shërbim që “Fundjavë Ndryshe” është kujdesur tua ofrojë familjeve në nevojë që prej fillimit të aktivitetit të saj. Duke lidhur marrëveshje me disa studio ligjore, çdo familje në nevojë mund të raportojë problemin që ka dhe të marrë mbështetjen e një strukture në aspektin ligjor. Megjithatë ky është një projekt që “Fundjavë Ndryshe” synon ta zgjerojë, drejt krijimit të një studio ligjore si strukturë e organizatës.