Varfëria në Shqipëri është shumë e theksuar. Hendeku midis njerëzve të pasur dhe njerëzve të varfër thellohet gjithnjë e më shumë. Shumë familje në nevojë, jetojnë në kushte cnjerëzore. Shumë fëmiijë rriten në kushte ekstreme. Edhe pse sipas të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve apo edhe Kushtetutës së Shqipërisë kjo mënyrë e të jetuarit të tyre është jo legjitime për shtetin, duket se realiteti është vërtet i ashpër. Kjo është dhe arsyeja pse Fundjavë Ndryshe ka zgjedhur të merret me problemet e shumë njerëzve, nevojtarëve, fëmijë që nuk kanë mundësi të ndryshojnë të ardhmen e tyre.
Shtëpia e parë që Fundjavë Ndryshe ka ndërtuar ka qenë rreth 5 vite më parë. Ne organizuam një fushatë, ku i bëmë thirrje të gjithë shqiptarëve të kontribuonin për të ndihmuar një familje shumë të varfër. Dikush dhuroi mobiljet, dikush dhuroi një shërbim të caktuar dhe shtëpia ishte gati shumë shpejt. Nxituam ta kthenim në një mekanizëm të mirëfilltë këtë sistem, për të ndihmuar sa më shumë familje. Në bashkëpunim me shumë media ne tërhoqëm vëmendjen e shumë bizneseve të mëdha të cilat dhanë kontributin e tyre për të ndihmuar njerëzit e varfër. Deri më tani kemi ndërtuar rreth 500 shtëpi të reja në të gjithë Shqipërinë, dhe kemi restauruar shtëpitë e vjetra. Shumë familje kanë nisur jetën e tyre nga e para dhe shumë fëmijëve u ka ndryshuar jeta përgjithmonë!