Hidajeti ishte vetëm 10 vjeç kur shtylla e tij kurrizore nisi të deformohej. Ndonëse familja nuk e kishte kuptuar më parë, djali i tyre i vogël ishte i prekur nga sëmundja e skoliozës. Menjëherë i vëllai i tij Sadiku u kujdes që Hidajeti të kryente gjithë trajtimet e nevojshme. Por, asgjë nuk mjaftoi që i vëllai të kurohej. E vetmja mënyrë është që 18 vjeçari t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, e cila mund të kryhet vetëm jashtë vendit.
Mjekët kanë bërë me dije se operacioni duhet të kryhet sa më shpejt, pasi jeta e Hidajetit është në rrezik. Situata e tij është kritike, nuk dihet edhe sa mund të rezistojnë mushkëria dhe zemra e tij, të dyja të prekura nga shtrembërimi i shtyllës kurrizore. Operacioni i Hidajetit kushton 20 mijë euro, prej të cilave familja ka mbledhur tek të afërmit 15 mijë euro. Gjendja e tyre ekonomike është shumë e rënduar dhe e kanë të pamundur të sigurojnë pjesën e mbetur.
“Të shohësh çunin 18 vjeç që rri çdo ditë brenda, kur shokët e tij kanë dal në punë, është shumë e dhimbshme. Veshkën time kam kërkuar që të jap, që çuni të më shërohet. Nuk më intereson vetja ime, jetën e jap, por çunin jo. Në dorë të Zotit e kam lënë, nuk di më,” rrëfen mes lotëve e ëma e Hidajetit.
Koha është shumë e kufizuar, çdo minutë që kalon është një mundësi më pak që 18-vjeçari t’ia dalë. Le të bëhemi bashkë për t’i dhënë Hidajetit një mundësi të jetojë!
Bamirësia nuk të varfëron!
Për të dhënë kontributin tuaj, klikoni këtu.