| Contact Us: +355 68 808 9999

Vijon puna për ndërtimin e lagjes së re nga bamirësit e “Fundjavë Ndryshe”

51 viktima, mijëra të plagosur e mijëra të tjerë mbetën në mes të katër rrugëve. Ishte ky bilanci tragjik që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Por, në ato ditë aq të vështira dhe të dhimshme, u shfaq edhe solidariteti më i madh mes njerëzve. Në Qendrën e Solidaritetit pranë “Fundjavë Ndryshe” kanë ardhur ndihma të shumta, të cilat janë shpërndarë që në ditët e para pasi tërmeti preku vendin.

Fondacioni ofroi ndihmën e vetë të menjëhershme me strehim, ushqime, ujë apo material si batanije e dyshek. Thirrjes për bashkim të forcave të bërë nga “Fundjavë Ndryshe” iu bashkuan shumë qytetarë, biznese jashtë e brenda vendit. Një prej tyre ishte edhe kompania e madhe botërore, Amazon, e cila në bashkëpunim me “Fundjavë Ndryshe” dërgoi 5 kamionët e parë me krevate, çadra, batanije etj.

Përgjatë kësaj kohe, fondacioni është kujdesur të qëndrojë pranë të prekura me çdo nevojë të tyre. Njëkohësisht janë dhuruar dhjetra shtëpitë për familjet të cilat mbetën pa asnjë çati mbi kokë prej tërmetit.

Paralelisht ka nisur edhe puna në Vaqarr, ku do të ndërtohen banesat e tjera, të cilat po ashtu do t’i dhurohen të prekurve. Inxhinieri Nusret Nela tregon se banesat të cilat do t’i dhurohen banorëve të prekur nga tërmeti plotësojnë gjithë standartet e sigurisë.

“Sistemi që është zgjedhur nga ana inxhinierike i plotëson të gjitha standartet që objekti të jetë i sigurtë edhe për pjesën sizmike. Faza e projektimit është bërë paraprakisht me shpimin dhe studimin gjeologjik të gjithë zonës. Më pas në bazë të këtij studimi është bërë edhe projekti i ndërtimit.”

Ndërsa punimet janë duke ecur me ritme shumë të larta, pritet që shumë shpejt të jenë të përfunduara edhe shtëpitë e para. Veç shtëpive pritet të ndërtohet edhe një shkollë e qendër shëndetësore. Me qëllim plotësimin e kushteve më të mira të jetesës për çdo familje, në atë që është konceptuar si një lagje e re.

Bamirësia nuk të varfëron!

Për të dhënë kontributin tuaj për kauzat e “Fundjavë Ndryshe”, klikoni këtu.

Media Contacts

More to explore

Më Shumë