| Contact Us: +355 68 808 9999

“Fundjavë Ndryshe” pranë familjeve të prekura nga përmbytjet!

Shirat e rënduar përgjatë javëve të para të janarit shkaktuan dëme të shumta në disa zona në Shqipëri. Më kritike gjendja u shfaq në Lezhë, Shkodër dhe Laç, ku u regjistruan edhe përmbytjet më të mëdha.

Mijëra hektarë tokë ndodheshin nën ujë, rrugë të bllokuara e fshatra të izoluar të cilët mund të aksesosheshin vetëm me mjete lundruese apo kamionë ushtarakë.  Ndërsa qindra familje kishin nevojë urgjente për ndihma. “Fundjavë Ndryshe” udhëtoi në disa prej fshatrave ku gjendja ishte edhe më kritike.

“Në qarkun e Lezhës dhe Shkodrës janë shpërndarë rreth 500 pako ushqimore, miell, ujë, batanije, rroba. U fokusuam në ato që ishin të domosdoshme për familjet që u prekën nga përmbytjet,” u shpreh gjatë emisionit Historia e Fundjavës, koordinatori i fondacionit, Orgest Beti.

Drejtuesi i fondacionit, Arbër Hajdari bëri thirrje për ndihmë nga biznese të ndryshme për të siguruar ushqime për bagëtitë e familjeve të prekura. Pasi ndër të tjera, përmbytjet sollën edhe shkatërrimin e shumë tokave bujqësore.

“Dua të bëj një thirrje drejtuar gjithë bizneseve që kanë mundësi për të siguruar ushqim për kafshët. Në mënyrë që të ndihmojnë sado pak ata njerëz, pasi tashmë thuajse të gjitha fushat janë të përmbytyra. Kështu ato familje nuk kanë mundësi për të gjetur ushqim në mënyrë që të mbajnë bagëtitë e tyre.”

“Fundjavë Ndryshe” vazhdon të jetë pranë familjeve të prekura nga përmbytjet, duke dërguar ndihma të ndryshme. Po ashtu është vendosur edhe një fond i veçantë për t’i ardhur në ndihmë gjithë familjeve që ndodhen në vështirësi.

Bamirësia nuk të varfëron!

Për të dhënë kontributin tuaj për kauzat e “Fundjavë Ndryshe”, klikoni këtu.

Media Contacts

More to explore

Më Shumë