“Fundjavë Ndryshe”, krahu i djathtë i operacionit humanitar/ Rama: Mirënjohje për sakrificën

0
478

Ndërsa vendi ndodhet në izolim prej koronavirusit, nevojat e njerëzve në vështirësi ekonomike janë të shumta. Për këtë arsye, prej disa javësh fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ndodhet në terren për të shpërndarë ndihma. Duke shkuar në çdo qytet dhe fshat të vendit, për të dhënë ushqime dhe produkte të higjienës si sapunë, detergjentë, desifektantë.

Duke ruajtur standardet maksimale të sigurisë, misioni i fondacionit është të ndodhen pranë të gjithë nevojtarëve. Ky gjest është vlerësuar edhe nga kryeministri Rama, i cili ka shprehur falenderimet për punën e bërë.

“FUNDJAVË NDRYSHE, KRAHU I DJATHTË I OPERACIONIT HUMANITAR, MERITON GJITHË MIRËNJOHJEN TONË PËR VAJZAT E DJEMTË, QË VULLNETARISHT PO SAKRIFIKOJNË ÇDO DITË, BASHKË ME FORCAT E SHTETIT NË TERREN, DUKE U BËRË SHËMBËLLTYRA E NJERËZILLËKUT NË KËTË KOHË KOLERE. #RESPEKT”, shkruan Rama.

Drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari ka konfirmuar se është duke u zhvilluar shpërndarja masive e ushqimeve për mbi 8,000 familje të izoluara.

“Ne jemi siguruar që ndihmat të shkojnë atje ku duhen. Fillimisht te njerëzit që janë në nevojë, te njerëzit që ne i kemi nëpër çadra si pasojë e tërmetit. Si edhe te grupet vulnerabël e moshat e treta.”

Fondacioni ka nisur edhe një fushatë online, ku të gjithë shqiptarët mund të kontribuojnë. Sepse në këto ditë të vështira, më shumë se kurrë duhet të jemi pranë njëri-tjetrit. Veçanërisht atyre që janë më fatkeqët dhe më në nevojë. Për të dhënë kontributin tuaj, klikoni këtu.

Bamirësia nuk të varfëron!