Ndihma Ushqimore

Shqipëria është një vend i varfër, por shumë solidar. Shumë familje në nevojë në Shqipëri, nuk arrijnë të përmbushin minimumin jetik, dhe shumë prindër nuk arrijnë të sigurojnë as ushqimin e përditshëm për fëmijët e tyre. Ka disa faktorë që ndikojnë në këtë proces. Papunësia është faktori kryesor. Nivelet e papunësisë në vendin tonë janë shumë të larta, dhe një numër shumë i madh familjesh nuk kanë asnjë person të punësuar. Mungesa e arsimit për një numër të madh njerëzish është një tjetër problem madhor. Mungesa e profesioneve, zanateve nuk i jep mundësinë askujt të angazhohet me një punë. Gjithashtu mekanizmi shtetëror që i vjen në ndihmë këtyre njerëzve është shumë i ngurtë. Shqipëria nuk ka një sistem që ndihmon të sëmurët të kurohen falas. Aq më tepër të shërohen. Nëse një person i varfër është edhe i sëmurë ai është i destinuar të vuajë. Ndaj shumë familje, kryefamiljarë, nuk arrijnë të sigurojnë dot as ushqimet bazike.

Fundjavë Ndryshe e ka nisur punën e saj duke shpërndarë ushqime tek familjet në nevojë. Ne kemi punuar fort për t’i kthyer fundjavat në ditë solidarizimi të shoqërisë, ku një familje që ka një mirëqenie më të lartë, ndihmon një familje të varfër. Kjo nismë ka marrë jetë prej 5 vitesh tashmë. Cdo fundjavë ne jemi në terren, pranë familjeve në nevojë. Tashmë mekanizmi ynë është forcuar, Fundjavë Ndryshe është shtrirë në shumë qytete dhe zona rurale. Ne jemi munduar të krijojmë një lidhje të drejtpërdrejtë, mes familjes në nevojë, dhe bamirësve. Jemi munduar të krijojmë ura komunikimi mes njerëzve që vijnë nga shtresa të ndryshme sociale. Sepse ne besojmë se kjo është forma e vetme për ta unifikuar shoqërinë shqiptare.

Edhe ti mund të japësh kontributin tënd! Nëse dëshiron të ndihmosh një familje, je i lutur të na kontaktosh. Mund të vish së bashku me familjen tënde, me miqtë apo kolegët e tu. Mund të mbledhësh një shumë të caktuar monetare me të cilën do të blejmë ushqimët e nevojshme, për familjen që do të ndihmojmë. Bashkohu me ne! NE RRITEMI SË BASHKU!