Veshmbathjet

Shpesh familjet në nevojë janë pre e paragjykimeve jo të shëndetshme. Paragjykime për mënyrën si jetojnë, si ushqehen apo si vishen. Përtej asaj që duket, mungesa e veshjeve është një problem më i madh se sa njerëzit mendojnë. Kjo është edhe arsyeja pse ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që të dhurojmë për ta edhe veshje. Në zonat rurale ky fenomen thellohet akoma më shumë. Fëmijë të cilët nuk kanë rroba për të kaluar dimrin ngrohtë, nuk kanë batanije, apo edhe një palë këpucë për të shkuar në shkollë. Po, mjerimi është prezent edhe sot në Shqipëri.

E megjithatë për një pjesë tjetër të shoqërisë, ky fenomen duket shumë i largët. Veshjet ndërrohen cdo sezon, ato që janë përdorur flaken në kosh, dhe zëvendësohen me të reja. Ajo që ne bëjmë është solidarizimi i njerëzve për ti dhuruar veshjet e përdorura tek familjet e varfëra. Pasi i ndajmë sipas gjinive, moshave dhe përcaktimeve, ne i shpërndajmë veshjet tek familjet në nevojë.

Ky organizim ka nisur që prej shumë kohësh. Gjatë punës sonë në terren ne kemi vënë re se ky fenomen i prek të gjitha moshat, që nga fëmijët deri tek të moshuarit. Kemi parë njerëz që nuk ndërrohen për javë të tëra, pasi nuk kanë ctë veshin. Kemi parë fëmijë që nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të bullizmit.

Por kemi parë edhe mijëra bamirës dhe vullnetarë, të cilët kanë sjellë veshjet e tyre për të ndihmuar dikë në nevojë. Kemi shpërndarë mijëra kuti me veshje, të cilat kanë shkuar në dyert e nevojtarëve. Kemi parë një Shqipëri të tërë të solidarizohet me varfërinë, dhe të kontribuojë për ta bërë një vend më të mirë.

Kjo është një ftesë edhe për ty!