“Pasqyroj në mendjen time grafitë një pas një që ka ardhur në deformim shtylla kurrizore. Sidomos tani që sa gradë ka shkuar. Kur imagjinoj ato grafitë që e vogël që kam qenë. Kur shihja veten ndonjëherë në pasqyrë, vishja ndonjë bluzë.
Nuk mund ta vishja, dukej gjithçka mbrapa, do paragjykonin, më dhemb diçka, nuk e di. Nuk e imagjinoj, nuk dua ta kujtoj më saktë. Vish këtë sipër mos të duket, vish këtë, vish atë mos të duket, lësho flokët mos të duket. Gjithçka mos të duket.
Në fillim nuk u shqetësuan për faktin se është vetëm një puçërr. Kaluan disa ditë, muaj dhe ishte një doktor këtu për ta vizituar. Dhe ai tha që nuk është vetëm një puçërr, por deformim i shtyllës kurrizore. Që atëherë, isha 3 vjeçe e shkuam në spital në Tiranë. Atje më vendosën një allçi dhe që 3 vjeçe mbaja allçinë, bëja grafi vit pas viti se ndoshta do e pengonte.
Më vret shikimi, sidomos kur kthejnë kokën dhe thonë shiko si është. Më vjen të plas përbrenda, nuk kam dëshirë për asgjë. Dua vetëm të rri në një dhomë e të qaj e shfryhem me veten time. Nuk dua kontakt me asnjë.”
Ka qenë ky rrëfimi i Biljana Beqirajt e cila preku zemrat e gjithë shqiptarëve. 21-vjeçares nga Kukësi që prej moshës 3-vjeçare, jeta i ka dhuruar veç vuajtje. Për 20 vite ajo ka qëndruar me allçi, pasi u diagnostikua me kifoskolioz.
Por, tashmë kalvari i dhimbjes ka përfunduar. Shtatë ditë më parë, “Fundjavë Ndryshe” e dërgoi Biljanën në një spital të specializuar në Turqi. Prej ku u realizua me sukses një operacion shumë i vështirë. 21-vjeçarja vazhdon të jetë në kujdes të vazhdueshëm të mjekëve në Stamboll.
Pas rikuperimit të plotë, Biljana do të kthehet në Shqipëri, ku e pret një jetë e re. Tashmë me shpresa dhe me guximin për t’i bërë realitet ëndërrat e saj. “Fundjavë Ndryshe” do të jetë gjithmonë pranë saj, për çdo nevojë.
Faleminderit gjithë shqiptarëve që kontribuan për të shpëtuar Biljanën.
“Bamirësia nuk të varfëron!”