SHËNDETËSIA/ Nga analizat mjekësore te trajtimi i të sëmurëve, çfarë bën “Fundjavë Ndryshe”?

0
430

Krijimi i kontakteve të drejtpërdrejta me familjet në nevojë shpesh mbart dhimbje, për shkak të vështirësive në të cilat familjet ndodhen. Nga eksperienca jonë prej më shumë se 4 vitesh pranë njerëzve në nevojë, kemi mësuar se Shëndetësia është një nga fushat më të ndërlikuara dhe më të prekshme nga shtresat vulnerabël. Kontrollet e shtrenjta mjekësore, çmimet e larta të medikamenteve, operacionet e papërballueshme, sëmundjet kronike dhe një sërë problematikash të tjera që cënojnë jetën janë vetëm maja e ajsbergut me të cilin familjet në nevojë përballen. Kjo është edhe arsyeja pse ne kemi vendosur t’i përkushtohemi me durim këtij realiteti, duke aplikuar projekte nga më të ndryshmet, të vogla dhe të mëdha për t’i ardhur në ndihmë nevojtarëve.

  • Si po realizohet ky proces?

Pasi për një kohë të gjatë kemi punuar për të bashkuar bamirësit në ndihmë të personave me probleme shëndetësore, kemi parë të arsyeshme ndërtimin e një strukture të mirëfilltë, ku mund të adresojmë problematikat në mënyrë të vazhdueshme. Së fundmi kemi nënshkruar marrëveshje me një Laborator të Analizave Mjekësore. Në këtë mënyrë të gjithë personat që vijnë nga familje në nevojë, të identifikuar dhe verifikuar nga “Fundjavë Ndryshe”, mund të kryejnë procesin e analizave falas. Pas kryerjes së analizave mjekësore dhe vizitave te mjeku, ne organizojmë procedurën e blerjes së ilaçeve, në varësi të nevojave të pacientit. Së fundmi kemi ndërhyrë edhe për të lidhur marrëveshje me Spitalet Private në Turqi dhe më gjerë, për të realizuar ndërhyrjet kirurgjikale dhe operacionet e nevojshme, ku kemi përmbyllur me sukses disa raste. Gjithashtu stafi i “Fundjavë Ndryshe”, është duke punuar për realizimin e një projekti që ka në fokus angazhimin e një ambulance lëvizëse, e cila do të organizohet për tu dhënë ndihmën e parë pacientëve që vijnë nga familjet në nevojë.