Që në hapat e para të fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, edukimit i është kushtuar një vëmendje e veçantë. Ne mendojmë se edukimi është arma më e fortë për të luftuar varfërinë, dhe se është shpresa më e madhe për t’i ndihmuar brezat të ecin përpara, në zhvillimin e komunitetit. Kur stafi ynë viziton familjet në nevojë dhe përpilon analizën sociale dhe ekonomike të tyre, një rubrikë specifike e ka edhe edukimi i fëmijëve, një proces në të cilin kemi tentuar të hyjmë. Nxënës të shkëlqyer që bëjnë detyrat e shtëpisë nën dritën e qirit, nxënëse të shkëlqyera që për shkak të mentalitetit ju është dashur të braktisin shkollën që në klasën e nëntë, fëmijë të mrekullueshëm që nuk janë ulur dot kurrë në bankat e një shkolle, të rinj të pa arsimuar, pa zanate e pa profesione. Është kjo një pasqyrë simbolike e sistemit të edukimit sot në vend, përsa i përket shtresave të margjinalizuara e familjeve në nevojë. E megjithatë ne jemi munduar të punojmë për ta sfiduar këtë realitet. Diku një bursë studimi, kurse private, gjuhë të huaja, materialet shkollore, çanta, libra fletore… Kurrë nuk është mjaft. Investimi në edukim kthehet herët a vonë. Ndaj kemi aplikuar krijimin e disa projekteve të mëdha, për t’i dhënë fund këtyre sfidave që krijojnë një hendek kaq të madh mes këtyre njerëzve, dhe shtresave të tjera të shoqërisë, shpesh indiferente ndaj rëndësisë që arsimi dhe edukimi ka në jetën e dikujt.
Disa nga projektet që ne kemi në fushën e edukimit janë:
-
Ndërtimi dhe restaurimi i shkollave në zonat rurale, në periferitë e qyteteve;
-
Ndërtimi i një shkolle profesionale, ku të rinj e të reja që vijnë nga familjet në nevojë mund të profesionalizohen falas në një zanat specifik;
-
Ndërtimi i një Librarie të Hapur dhe Digjitale.