Përveç analizave mjekësore apo ndihmës që ne ofrojmë lidhur medikamente mjekësore, një problem i thelluar për shtresat vulnerabël janë edhe ndërhyrjet kirurgjikale. Çdo ditë nuk mungojnë rastet e shumta që kanë nevojë për shërbime mjekësore të specializuara. Spitali shtetëror në Shqipëri e ka pothuajse të pamundur ushtrimin e shumë operacioneve apo ndërhyrjeve kirurgjikale. Kostoja e lartë që spitalet private i vendosin këtyre ndërhyrjeve e bën të pamundur për një familje të varfër realizmin.
Gjatë punës sonë të përditshme në terren, jemi njohur me raste tronditëse të personave të sëmurë. Të papunë, në kushte çnjerëzore të banesave ku jetojnë, pa ushqim dhe mbi të gjitha me probleme shëndetësore që nuk i lënë të lëvizin imagjinoni sa e vështirë është jeta e këtyre njerëzve.
Fundjavë Ndryshe ka nisur prej kohësh veprimtarinë e saj të punës për të lidhur marrëveshje me spitalet jashtë vendit dhe realizimin e këtyre ndërhyrjeve në mënyrë të përgjegjshme. Aktualisht ne kemi lidhur disa marrëveshje bashkëpunimi me një sërë spitalesh private në Turqi, ku kostoja e ndërhyrjeve është shumë më e vogël se ajo që ofrojnë spitalet private në Shqipëri.
