Si nisi “Fundjavë Ndryshe”

“Fundjavë Ndryshe” u themelua më 27 tetor 2015 nga Arbër Hajdari. Një ditë feste Arbri zgjodhi ta festonte pranë familjeve në nevojë, në bregun e lumit. Ai e ktheu ndihmën ndaj të varfërve në një rutinë, në të cilën i bashkoheshin çdo herë miq të ndryshëm. Duke parë se me pak nxitje arriti të sensibilizonte gjithnjë e më shumë njerëz, vendosi të organizonte një ekip me njerëz që duan të ndihmojnë të varfërit. Gradualisht “Fundjavë Ndryshe” kaloi në etapa të ndryshme, shpesh shumë të vështira për tu kapërcyer. Në këtë rrugëtim suksesi, partnerët më të mëdhenj kanë qenë njerëzit e thjeshtë, vullnetarët, bizneset dhe mediat. “Fundjavë Ndryshe” u përqafua shumë shpejt nga mijëra të rinj, lidhi marrëveshje me biznese të mëdha e të vogla dhe numri i familjeve që merrnin ndihma rritej dita ditës. Si çdo proces i krijimit të një vlere të re për shoqërinë, “Fundjavë Ndryshe” pati ulje dhe ngritje, pati ditë plot shkëlqim por edhe ditë ku mes pak mundësive duhet të zgjidhje familjen në vështirësinë më të madhe për t’i dhënë dorën. E megjithatë duke u strukturuar çdo ditë pak e nga pak, sot “Fundjavë Ndryshe” po realizon projektin më të madh humanitar në Ballkan, për të qenë pranë nevojtarëve në ditët më të vështira të tyre.