Qendra Shëndetësore drejt përfundimit, Hajdari: Dy shërbime të reja falas për shqiptarët

E konsideruar si një nga projektet më ambicioze në Ballkan, “Qendra e Solidaritetit” ka hyrë në fazën e dytë të punimeve. Pas përfundimit të godinave qëndrore të “Fundjavë Ndryshe” dhe kapanoneve të mëdha të magazinimit për ndihmat e dhuruara, drejt përfundimit janë edhe tre shërbime të tjera.

Drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari bëri dije nëpërmjet një postimi në rrjete sociale se punimet për ndërtimin e Qendrës Shëndetësore janë duke ecur me hapa të shpejtë. Qendra e cila do të ketë një hapësirë afro 600 m2 do të plotësojë shërbimet më të nevojshme të njerëzve.

“Ajo që ne kemi menduar të sjellim edhe si risi, por mbi të gjitha në interes të plotë veçanërisht për njerëzit në nevojë është dhënia e shërbimeve falas. Por, jo vetëm. Në qendër do të jetë e përfshirë edhe një farmaci, e cila do të ofroje ilaçet e nevojshme falas. Dhe ne jemi duke u siguruar që të mos kemi asnjë mungesë. Po ashtu veç dy dhomave të mëdha ku do të bëhen vizitat, si edhe dhomës dedikuar urgjencave; do të jetë edhe shërbimi i stomatologjisë.

Jemi munduar të bëjmë një ambient sa më mikpritës, duke pasur në fokus edhe fëmijët që do të vijnë për të bërë vizitat e nevojshme.”

Po ashtu Hajdari bën me dije se Qendra Shëndetësore do të jetë 24 orë e hapur dhe do të vihet një numër në dispozion të gjithkujt.

Paralelisht me qendrën e cila pritet të jetë gati në përfundim të muajit maj, është duke u punuar edhe me një tjetër projekt. Bëhet fjalë për një qendër multi-funksionale, ose ndryshe një qendër studimi. Ku do të përfshihet biblioteka, libraria si edhe krijimi i ambienteve të posaçme për kurse të gjuhëve të huaja. Kjo hapësirë do të jetë e lidhur edhe me projektin e madh të prezantuar më parë nga Hajdari që ka të bëjë me ndërtimin e shkollave profesionale.

Qendra e Solidaritetit e cila ndodhet në nisje të Rrugës së Arbrit, i nisi punimet më pak se një vit më parë. Me synimin për të qenë pranë njerëzve në nevojë dhe për t’i mbështetur në gjithë aspektet. Pasi edhe shërbimet që do të ofrohen në fokus kanë formimin dhe ofrimin e kushteve që çdo individ të sigurojë një jetë më të mirë. Që nga shëndetësia, edukimi e deri tek punësimi.

Bamirësia nuk të varfëron!

Media Contacts

More to explore

Më Shumë